I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se, përshkallëzimi i situatës është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

Ai e ka ritheksuar se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në godina alternative, Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, protestuesit duhet të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të dalin para drejtësisë.

Escobar nënvizoi se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

“Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Europian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”, tha Escobar.

Ai theksoi ndërkohë se qeveria e Kosovës duhet të heqë bllokadën ndaj mallrave serbe në kufi. Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në tryezën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

I pyetur nëse Escobar do të marrë pjesë në takimin që do të mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme, nën organizimin e shefit të diplomacisë së bllokut europian, Josep Borell, zyrtari i lartë amerikan u shpreh vetëm se ende nuk është vendosur dhe se është duke u punuar për këtë takim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA