Aleksandër Vuçiç zgjodhi rrjetet sociale për të dhënë detaje mbi takimin e tij me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Kreu i shtetit serb e ktheu vendin e vet në viktimë në sytë e përfaqësuesve të Gjermanisë, Francës, Italisë si dhe kreut të delegacionit të BE-së.

“Bisedova me zyrtarët e BE-së dhe të QUINT-it.  U kërkova të bëjnë gjithçka që është e mundur që Kurti të mos nisë një luftë të re në Ballkan”, thuhet në postimin e tij në Instagram. Vuçiç sqaroi se i kishte ofruar ambasadorëve pamjet e arrestimit të policëve të Kosovës dhe theksoi se ata nuk janë keqtrajtuar nga autoritetet serbe.

“Sa i përket incidentit të djeshëm, ne sillemi si një vend serioz dhe të arrestuarit u trajtuan në të njëjtën mënyrë, as u rrahën e as u keqtrajtuan”, u shpreh ai.

Po kështu pretendoi se i kishte ofruar përfaqësuesve të QUINT-it që t’i shikonin vetë të gjitha regjistrimet dhe të dhënat e arrestimit, për të pare edhe se ku ndodhi saktësisht ngjarja. Një ditë më pare, kreu i shtetit serb e akuzoi Albin Kurtin se po kërkon me cdo kusht të “shkaktojë luftë dhe konflikte”.

Ky ishtë takimi i dytë i Presidentit të Serbisë me përfaqësues të BE-së dhe QUINT-it brenda dy ditësh. Të mërkurën, ai zgjodhi të mos bënte asnjë koment mbi takimin e parë të zhvilluar me ta, duke pretenduar se heshtja do të ishte më e mira për të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA