Autoritet greke kanë ndaluar dhe po hetojnë rolin e 6 prej 104 emigrantëve të shpëtuar në tragjedinë e një dite më parë ku humbën jetën 79 vetë dhe rezultojnë të zhdukur qindra të tjerë.
Sipas burime të Top Channel në rojën bregdetare greke, kanë qenë vetë klandestinët që kanë identifikuar të dyshuarit,ndërsa po ekzaminohen videot dhe komunikimet audio të peshkarexhes së mbytur me rojën bregdetare dhe anijet që mbërritën në zonë për t’ju dhënë atyre ndihmë 47 milje larg brigjeve greke në Pyleo të Peloponezit.
Në zonë kanë mbërritur ekspertë te kriminalistikës,mjekë ligjorë dhe një ekip i shërbimeve sekrete për të ndihmuar në kërkimet për gjetjen e trafikantëve.
Trupat e viktimave janë dërguar gjatë orëve të para të mëngjesit në portin e Kalamatës,pasi më parë u fotografuan dhe iu morën kampione të ADN-së në bordin e një anije ushtarake greke.
Trupat e pajetë janë vendosur në një kamion frigoriferik dhe do të dërgohen në institutin e mjekësisë ligjore të Athinës dhe në vazhdim do të varrosen në një vend të veçantë të varrezave publike të Athinës, pasi është e pa mundur të dërgohen në vendet e origjinës.
Autoritetet po hetojnë edhe lidhur me numrin total të personave që ndodheshin në bord. Burimet nga roja bregdetare greke duke iu referuar dëshmive të emigrantëve të shpëtuar, bëjnë fjalë për dhjetëra,me gjasa edhe mbi 100-150 gra dhe fëmijë,por shifrat për momentin nuk mund të verifikohen.
Roja bregdetare thotë se anija është fundosur në thellësi mbi 3800-4000 metra,ndaj dhe gjetja e anijes do të jetë tepër e vështirë dhe nuk pritet të ketë operacion për nxjerrjen e saj në një afat të shpejtë.
Top Channel