Një 33-vjeçar është vënë në pranga në Qeparo të Himarës, pasi trafikonte kanabis drejt Greqisë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 33-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Policia Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Vlorës, kapën në flagrancë E. B., banues në Sarandë. Ai ka tentuar të largohet për të shmangur kontrollin e automjetit të cilin drejtonte, por policia ka mundur ta kapë dhe e ka vënë në pranga.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën 9 kilogramë kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 aparate celulare.
Sipas policisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel