Katër qytetarët e Kosovës të arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdare janë liruar, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Kurshumlisë.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për katër shtetas kosovarë të cilët janë mbajtur në burg nga 13 qershori, teksa thanë se ata nuk janë përgjegjës për policët e Kosovës.
Labinot Maliqi, vëllai i njërit nga të arrestuarit konfirmoi për REL se vëllau i tij, dhëndri dhe dy të tjerë janë liruar.
Më 14 qershor, Prokuroria Themelore Publike e Kurshumlisë – qytet në pjesën qendrore të Serbisë – konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se më 13 qershor, Drejtoria e Policisë në Prokuple, Stacioni policor në Kurshumli, ka caktuar masën e ndalimit deri në 48 orë ndaj personave: K.M, H.F, M.E, dhe M.D. – të gjithë nga Podujeva.
Bilana Millosavleviq, ushtruese e funksionit të prokurores publike në Kurshumli, kishte thënë se “ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale: shkatërrim dhe dëmtim i pasurisë së njerëzve të tjerë, në dëm të Republikës së Serbisë” – pa ofruar më shumë detaje.
Qeveria e Kosovës të enjten bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.
Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar një ditë më parë se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën. Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
Kryeministri Kurti hodhi poshtë pretendimet e Serbisë, e cila tha se se policët e Kosovës kishin kaluar kufirin dhe ishin futur në territor të saj.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë.
Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Top Channel