Një muaj pasi socialisti Edision Memolla rezultoi fitues në Rrogozhinë, Kolegji Zgjedhor rrëzon zgjedhjet në këtë bashki. 

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i ishte drejtuar hallkës së fundit ankimuese duke kundërshtuar rezultatin e certifikuar nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, çka prodhoi një vendimmarrje krejt tjetër, atë të ripërsëritjes së zgjedhjeve në këtë Bashki.

Diferenca ndërmjet kandidatit të Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe atij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha u ngushtua në 21 vota pas rinumërimit të 55 kutive nga KAS, por ajo që çoi në këtë vendimmarrje duket të jetë kutia e burgut të Rrogozhinës, qendra e votimit e cila ktheu rezultatin në favor të kandidatit të PS-së.

Përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kishin kundërshtuar në KAS ngritjen e kësaj qendre votimi, nën argumentin se vetëm katër persona që vuanin dënimin në këtë institucion peritenciar, ishin banorë të Rrogozhinës. Por rrëzimi i kësaj QV solli vendimin e ripërsëritjes së zgjedhjeve.

Kodi Zgjedhor ka parashikuar qartë se në rast të shpalljes së pavlefshme të një apo disa qendrave të votimit, të cilat ndikojnë në rezultat, atëherë ripërsëriten zgjedhjet në të gjithë zonë zgjedhore. Çka do të thotë se qendra e burgut të Rrogozhinës, që i dha fitoren Edison Memollës, është po ajo që i krijoji bindjen gjyqtarëve të Kolegjit për të caktuar ripërsëritjen e zgjedhjeve.

Tanimë topi shkon sërish në tryezën e KQZ-së e cila do të duhet të ripërsërisë procesin zgjedhor brenda katër javëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA