Një guvernatori i rajonit madhor sudanez Darfur është eliminuar sot nga forcat paramilitare anti-qeveritare disa orë pas pretendimeve të të ndjerit se ato ‘po kryenin gjenocid gjatë sulmeve të tyre’.
Në një intervistë televizive, guvernatori Khamis Abakar kishte kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare për të ndaluar dhunën e forcave paramilitare në Darfurin Perëndimor prej dhunës së forcave të njohura tashmë si “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë” (RSF) dhe aleatët e tyre arabë.
Ushtria tha sot se forcat paramilitare kishin rrëmbyer Abakar dhe më pas e kishin ekzekutuar, duke u bërë zyrtari më i lartë që vritet që prej nisjes së papritur të konfliktit në prill.
Në pamje video që qarkullojnë në rrjete sociale shihet një grup burrash të armatosur, disa me uniforma të forcave paramilitare që kishin arrestuar dje guvernatorin e shtetit të Darfurit Perëndimor.
Por forcat RSF i vinin fajin “kriminelëve” për vdekjen e tij duke thënë se “ishin përpjekur të mbronin Abakar” duke e dërguar në selinë e tyre në El Geneina, kryeqyteti Darfurit Perëndimor.
Sipas tyre, selia ishte sulmuar dhe guvernatori ishte marrë peng, ndërsa më pas ishte vrarë “me gjakftohtësi”.
Elementë të ndryshëm kanë nxitur përçarje e urrejtje mes komuniteteve afrikane dhe arabe të Darfur me akuza diskriminimi e dhune.
Origjina dhe burimi i konfliktit aktual është ende e paqartë por rrjeti BBC shkruan se forcat RSF e kanë origjinën nga luftëtarët muslimanë Janjaweed dhe tashmë akuzohen se po shënjestrojnë komunitetet afrikane në El Geneina.
Dje guvernatori Abakar tha në televizionin saudit Al-Hadath: “Civilët po vriten pa shkak dhe në numra të mëdhenj, ndërsa ushtria nuk po ndihmon të sulmuarit”.
Dje i dërguari i OKB në Sudan, Volker Perthes, tha se shumica e sulmeve duket se janë kryer nga militantët pro-arabë RSF dhe mund të quhen “krime kundër njerëzimit”.
Javën e kaluar grupi i bamirësisë Médecins Sans Frontières (MSF) tha se të paktën 500 njerëz janë vrarë në qyetin El Geneina.
Abakar tha më herët për rrjetin britanik BBC se më shumë se 2,000 njerëz janë të plagosur, të bllokuar në qytet pa mundësi trajtimi.
OKB thotë se tashmë më shumë se 100,000 njerëz i janë larguar luftimeve barbare në Darfur duke kaluar drejt Çadit fqinjë. /BBC/
Top Channel