Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj/ Dërgohen për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm Bashkim Haxhija dhe Marsel Deçka

15/06/2023 16:27

Çështja e dy nga pesë të arrestuarve të cilët dyshohet se janë përfshirë në atentatin e mirëorganizuar ndaj prokurorit Arjan Ndoj në 1 nëntor të vitit 2019 do të rishqyrtohet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Ndaj tyre gjykata e shkallës së parë vendosi me kërkesë të SPAK arrest me burg dhe avokatët e apeluan. Gjykata e Apelit të Posaçëm u tha se janë ankuar përtej afatit pesë ditor dhe nuk e shqyrtoi ankimimin.

Palët shkuan në Gjykatën e Lartë e cila urdhëroi Apelin e Posaçëm ta shqyrtojë apelin e të dyshuarve, sepse nuk mund t’u mohohet kjo e drejtë.

Bashkim Haxhija, Genti Nderjaku, Marsel Deçka dhe Endrit Sinani dhe Julian Pjetri u arrestuan më 23 janar ndërsa katër të tjerë u shpallën në kërkim në një operacion të shtrirë në Fushë-Krujë, Durrës dhe Tiranë , pasi dyshohet se janë përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.

Kur kanë kaluar më shumë se tre vite nga atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe një personazhi të njohur të botës së krimit i njohur si Rrumi i Shijakut, ku të dy mbetën të plagosur, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën, SPAK dhe policia në bazë të dëshmive dhe përgjimeve të personave të implikuar në këtë vrasje arriti të zbardhë ngjarjen duke identifikuar porositësit, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët.

Autoritetet identifikuan se kush e donte të vdekur Aleksandër Lahon i njohur si Rrumi i Shijakut por nuk mundën dot ta vënë në pranga sepse prej kohësh ndodhet në Dubai, pavarësisht se ndaj tij ka një urdhër arresti tjetër për një vepër të rëndë penale.

Mes të shpallurve në kërkim është edhe Ramazan Rraja, i cili dyshohet se siguroi kushtet për kryerjen e atentatit.

Në pranga ra Bashkim Haxhia, i cili i ka shpëtuar një atentati në qershor të vitit 2019. Po ashtu në pranga ranë edhe agjenti doganor Marsel Deçka, i afërm i një anëtari të bandës së Durrësit, Genti Ndërjaku i cili i shpëtoi një atentati me snajper në shtator të 2022 në Durrës dhe Julian Pjetri.

Policia sekuestroi një armë zjarri, rreth 40 milionë lekë të vjetra dhe 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente që do të verifikohen.

Për atentatin gjykata ka marrë të pandehur më herët Redjan Rrajën  dhe Ariol Halilajn.

Hetuesit besojnë se arrestimi i personave të tjerë të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit do të hedhë dritë mbi ngjarje të tjera të ndodhura para dhe pas atentatit mes dy grupeve kriminale.

Si ndodhi atentati ndaj prokurorit Ndoj?

Pasditen e një nëntorit 2019, një breshëri plumbash u derdh mbi makinën që drejtohej nga Andi Maloku dhe ku pasagjerë ishin prokurori i Durrësit Arjan Ndoj dhe Landi Muharremi, person me precedent të theksuar kriminal. Shoferi Andi Maloku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Ngjarja ndodhi në afërsi të mbikalimit të Shkozetit dhe dëshmitarë u bënë disa kalimtarë që i erdhën në ndihmë të plagosurve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA