Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar që ndërkombëtarët të reagojnë ashpër dhe të veprojnë të unifikuar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit.
Ajo theksoi se tre zyrtarët policorë të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.
Osmani ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar Osmani.
“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht. Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, ka shkruar Osmani.
Top Channel