Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar lidhur me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës nga policia serbe.

Kusari-Lila në reagimin e saj ka thënë se kjo është shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë, pas ngjarjeve të fundit në veri, ndërsa ka kërkuar reagim nga komuniteti ndërkombëtar.

“Tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer sot brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Kjo është një shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë pas ngjarjeve në veri. Vetëm agresori në këto ngjarje të dhunshme banon në Beograd dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë në përputhje me rrethanat”, ka shkruar shefja e deputetëve të LVV-së në Twitter.

Kujtojmë se tre zyrtarë policorë kufitarë janë rrëmbyer këtë të mërkurë në vendin e quajtur Tresave/Bare në territorin e Kosovës.

Policia ka njoftuar se ata dyshohet që janë rrëmbyer nga forcat serbe, teksa kanë qenë në detyrë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Në mediat serbe janë publikuar edhe pamje të momentit kur policët kosovarë janë prangosur nga policia serbe. Sipas mediave kosovare, pas kësaj ngjarjeje qëndron njësia serbe “Kobra”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA