Demokratët dhe republikanët ndajnë parime të njëjta, por kanë mungesë besimi mes tyre

14/06/2023 22:36

Amerikanët, qofshin me bindje të majta ose të djathta, kanë më shumë të përbashkëta nga sa mendojnë, përfshirë mungesën e fortë të besimit tek njëri-tjetri.

Sipas një sondazhi të publikuar të enjten, kur u pyetën për parimet themelore si frika, dhembshuria, përgjegjësia personale, rreth 9 në 10 demokratë apo republikanë ranë dakord se ato ishin jashtëzakonisht të rëndësishme. Megjithatë, vetëm një e treta e secilit prej grupeve tha se besonte se këtë mendim ndanin edhe përkrahësit e partisë kundërshtare.

Rezultatet e sondazhit të realizuar nga Qendra Kërkimore mbi Çështjet Publike e universitetit të Çikagos, në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Starts With Us” dëshmojnë të vërtetën e zymtë mbi burimin e polarizimit që vazhdon ketë një rol të fortë në politikën amerikane: Ndërsa shumica e amerikanëve bien dakord mbi vlerat kryesore duke nënvizuar demokracinë amerikane, ata nuk e pranojnë se të njëjtat vlera ndan edhe pala tjetër.

“Kjo është një mundësi që amerikanë të rivendosin edhe një herë parimin e vlerave të përbashkëta”, tha Tom Fishman, drejtor i përgjithshëm i “Starts with US”, një organizatë jo partiake që angazhohet për tejkalimin e polarizimit politik.

Ai thotë se amerikanët që mbështesin të dyja partitë kanë nevojë të kuptojnë se ndajnë akoma të njëjtat vlera dhe të pranojnë keqkuptimet për partinë kundërshtare.

Një sërë faktorësh renditen si shkaqe të mundshme për rritjen e ndasive, si rënia dhe copëzimi i burimeve të besueshme të lajmeve, politikanët që nxisin mungesën e besimit dhe platformat e mediave sociale që përhapin dezinformimin, ndërsa shumë shpesh i vënë përdoruesit në rrjete komunikimi ku rrallë hasin pikëpamje të ndryshme.

Kjo mungesë bashkimi lidhet edhe me rritjen e mungesës së besimit ndaj medias, qeverisë, shkencës dhe shëndetit publik ndërsa zemërimi politik ndonjëherë ka kapërcyer në gjuhë urrejtjeje ose dhunë si ajo që u pa në 6 janar të vitit 2021 kur mbështetësit e presidentit të atëhershëm Donald Trump sulmuan me dhunë Kapitolin në përpjekje për të përmbysur humbjen e republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden.

“Duhet të shqetësohemi kur polarizimi shndërrohet në humbje të ndjenjave të larta njerëzore, në një kuptim të tillë që tjetri bëhet më pak njerëzor, i lig, ose i paaftë për të ndarë cilësitë pozitive njerëzore”, thotë Nealin Parker, drejtore ekzekutive e Common Ground USA, një rrjet që angazhohet për zgjidhjen e konflikteve përmes nxitjes së besimit tek amerikanët. “Ky duhet te jetë një shqetësim për të gjithë sepse këto janë hapat e nevojshëm psikologjikë për të lënduar njëri tjetrin”.

Të anketuarve në sondazh iu kërkua që të vlerësonin rëndësinë e gjashtë parimeve, përgjegjësia personale, zbatimi i drejtë i ligjit, qeveria përfaqësuese, llogaridhënia e qeverisë, mëshira, respektimi i dallimeve/ të ndryshmëve dhe mësimet nga e kaluara.

Në secilin rast, rreth 90 përqind si e demokratëve dhe e republikanëve i renditën këto vlera si shumë ose jashtëzakonisht të rëndësishme.

Sidoqoftë, kur u pyetën nëse mendonin se edhe anëtarët e partisë kundërshtare gjykojnë se këto vlera janë shumë ose jashtëzakonisht të rëndësishme, rreth dy e treta e të anketuarve u përgjigj, jo.

Për shembull, ndërsa 91 për qind e republikanëve mendojnë se është shumë ose jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët të mësojnë nga e shkuara për të përmirësuar vendin, vetëm një e treta e demokratëve thanë se besonin se kjo ishte e vërtetë për votuesit republikanë.

Ndërkohë vetëm 31 për qind e republikanëve besonin se për demokratët llogaridhënia e qeverisë është shumë ose jashtëzakonisht e rëndësishme, kur, sipas anketimit, 90 për qind e demokratëve të pyetur kanë shprehur një mendim të tillë.

Gjetjet pasqyrojnë dukurine e njohur si “polarizimi emocional”, ku mosmarrëveshjet bazohen tek armiqësia/antipatia dhe mungesa e besimit dhe jo tek debatet e vërteta mbi vlerat dhe politikat.

Julia Minson, një profesore që studion konfliktin dhe polarizimin, pranë Harvard Kennedy School në universitetin e Harvardit, thotë se të pranuarit e ndarjes së vlerave të përbashkëta është një fillim i mbarë për të kapërcyer ndasitë në Amerikë.

*Sondazhi kombëtar ku u anketuan 1,003 të rritur u krye mes datave 11-14 maj. Kufiri maksimal i gabimit të sondazhit është plus ose minus 4.3 për qind./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA