Pesë të rinj që shpërndanin kokainë në lokalet e natës në Tiranë janë arrestuar nga policia.
Pas një hetimi disamujor, në kuadër të operacionit “Moncler” u arrestuan Ledjo Gashi 26 vjeç, Ergi Saliu 29 vjeç, Brajan Lala 24 vjeç, Erges Nexhipi 34 vjeç, dhe Mario Dema 32 vjeç. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi D. B., 34 vjeç.
Në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Marikaj, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar të rinjtë, dhe gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve të tyre, u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 1 kg e 100 gr.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në Durrës, dhe më pas e shisnin atë kryesisht në lokale të natës, në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel