Shqiptarët mund të dalin nga qeveria maqedonase, e kjo për shkak të një kushti të vendosur prej partisë kryesore opozitare të vendit, VMRO-DPMNE.
Kjo e fundit ka kërkuar largimin e Bashkimit Demokratik për Integrim nga koalicioni qeverisës që të mbështesë miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe insiston për formimin e një Qeverie të zgjeruar pa BDI-në.
Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski, u shpreh pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, se partia e tij do ta mbështesë ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, nëse ato ndryshime hyjnë në fuqi pasi të ketë përfunduar procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Procesin e ndryshimit të Kushtetutës ai e ka kushtëzuar edhe me një Qeveri të re që do të përgatiste zgjedhjet e reja, por pa BDI-në, e cila së bashku me Aleancën për Shqiptarët dhe LSDM-në përbëjnë Qeverinë aktuale.
Edhe pse VMRO DPMNE-ja nuk e ka përmendur Aleancën për Shqiptarët, kryetari i saj, Arben Taravari, pohoi se ka informacione që VMRO-ja nuk e dëshiron as partinë e drejtuar prej tij në një qeverie të re me bazë të gjerë. Për këtë arsye, edhe Aleanca për Shqiptarët po planifikon largimin nga koalicioni aktual.
“Sa i përket kushtit të VMRO DPMNE-së për daljen e partive shqiptare nga Qeveria dua të theksoj se neve na intereson përmbyllja e procesit europian dhe perspektiva e qytetarëve dhe jo llogaritë elektorale. Aleanca për Shqiptarët hyri në Qeveri për hir të procesit, por do të përshtatet në varësi të rrethanave të reja, qoftë në Qeveri apo jashtë saj”, deklaroi Taravari.
BDI-ja ka njoftuar paraprakisht vendimin e saj për të mos marrë pjesë në Qeveri nëse ky do të ishte kushti i VMRO-së për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.
Top Channel