Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA (NOAA) deklaroi ditë më parë se modeli klimatik i El Nino është tani në zhvillim, duke sjellë kërcënimin e cikloneve tropikale më të shpeshta në Paqësor, rritje të reshjeve dhe përmbytjeve në pjesë të Amerikës dhe rritje të temperaturave në të gjithë globin.
El Nino dhe ‘homologu’ i tij, La Nina, janë modele klimatike që e kanë origjinën në Oqeanin Paqësor çdo dy deri në shtatë vjet mesatarisht dhe mund të ndikojnë në motin në mbarë botën.
Sipas tyre, tri vitet e fundit janë dominuar nga modeli më i ftohtë La Nina, por fillimi i El Nino do të sjellë temperatura më të ngrohta dhe kushte ekstreme të motit në mbarë globin.
Pas njoftimeve nga zyrat e motit në SHBA dhe Japoni, vendet tashmë po nxitojnë të përgatiten.
Peruja, për shembull, ka ndarë 1.06 miliard dollarë për t’u marrë me ndikimet e El Ninos dhe ndryshimet klimatike, ndërsa Filipinet, të rrezikuara nga ciklonet, kanë formuar një ekip të posaçëm qeveritar për të trajtuar pasojat e parashikuara.
Por ndikimet ekonomike të fenomenit global të motit ka të ngjarë të lënë gjurmët e tyre.
Pas El Nino-s së fundit në 2016, ujërat më të ngrohta shkaktuan rënien e rezervave të një lloji të peshkut në brigjet e Perusë dhe vranë gati një të tretën e koraleve një pjesë të Australisë.
Një El Nino do të thotë që ujërat në Paqësorin Lindor janë më të ngrohta se zakonisht. Por edhe para fillimit të këtij El Nino, temperatura mesatare globale e sipërfaqes së detit ishte rreth 0.1C më e lartë në maj se çdo tjetër në rekord. Kjo mund të “mbingarkojë” motin ekstrem.
Top Channel