Kryeministri Edi Rama ka theksuar shprehimisht se Shqipëria nuk zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike, as për Kosovën.
“Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, nuk ka asnjë shans që të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike, ne mendojmë 100% njësoj sikurse mendojnë aleatët tanë.
Ne si vend jemi 100% kundër mënyrës si po veprohet në Kosovë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me bashkësinë euratlantike dhe pozicionin që Shqipëria ka fituar në këtë bashkësi nuk e vë do në diskutim askush dhe për asnjë arsye, aq më pak në një situatë ku Kosova po kërcënohet nga arsyeja e mosarsyes dhe një vendim i gabuar strategjik. Kosova po hyn në një kurs përplasje dramatike me bashkësinë euroatlantike”- tha Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se sanksionet që e presin Kosovën nëse vijon të kundërshtojë bashkësinë euroatlantike janë të ashpra. I pyetur se për çfarë sanksionesh bëhet fjalë, Rama nguroi të jepte një përgjigje konkrete duke theksuar se nuk i takon atij të komentoj diçka të tillë.
“Nuk më takon mua të bëj koment mbi këto dhe as dua ti mendoj këto sepse këto nuk është se janë vetëm masa që kjo bashkësi merr ndaj vendeve jo dashamirëse ndaj saj. Këto kjo bashkësi po detyrohet ti marrë ndaj një shteti që e ka krijuar vetë. Edhe sikur të jenë të përkohshme si masa, efekti destabilizues ne marrëdhëniet euroatlantike me Kosovën nuk do të jenë të përkohëshme. Besimi dhe mbështetja nuk do të jenë më siç kanë qenë deri tani. Dhe ky qëndrim do të vazhdojë jo vetëm ndaj qeverisë së Albin Kurtit, por edhe ndaj qeverive të tjera në vijim”- tha Rama.
Top Channel