Situata raportohet të jetë më e qetë në veri të Mitrovicës.
Protestuesit janë larguar nga zona afër shkollës teknike, ndërsa është zvogëluar edhe prania policore në Lagjen e Boshnjakëve.
Qytetarët e mbledhur afër shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut, pas zhurmës së sirenave, që kanë zgjatur më shumë se një orë, të revoltuar kanë kërkuar që të komunikojnë me dikë të Listës Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Pasi protestuesit kanë shprehur fjalë ofenduese kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Listës Serbe, ata kanë shkuar afër objektit ku jeton Aleksandar Spiriç nga Lista Serbe, dhe kanë kërkuar të flasin me të.
Ndërkohë, turmës i është drejtuar Nebojsha Joviç, nga “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”.
Ai ka thënë se Lista Serbe nuk mund ta përfaqësojë më popullin serb në Kosovë dhe kjo është duartrokitur nga të pranishmit dhe më pas turma ka nisur të shpërndahet.
Top Channel