Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, deklaroi se Millun Millenkoviç-Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat ndaj tij.
“Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një konference për media në Beograd.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviç- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.
Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.
Petkoviç tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend që të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Petkoviç i bëri thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Ai po ashtu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë ditës ka biseduar disa herë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
Petkoviç po ashtu tha se komandantit i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, do të qëndrojë në Beograd të mërkurën, më 14 qershor, dhe do të zhvillojë bisedime me Vuçiçin dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviç.
Pas këtij aksioni policor në veri të Kosovës, ku janë lënduar tre zyrtarë policorë, serbët lokalë janë mbledhur në Lagjen e Boshnjakëve. Atje, përveç Policisë së Kosovës janë parë edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it.
Një pjesë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë tërhequr, por një zyrtar policor tha se ky institucion po e “riorganizon” praninë në veri.
Operacioni në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i ka paraqitur bashkësisë ndërkombëtare një plan prej pesë pikash, që sipas tij do të ndihmojë në uljen e tensioneve.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.
Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.
Top Channel