
Arsyet shëndetësore u përmenden si shkaku që presidenti amerikan Joe Biden shtyu në minutë e fundit një takim të parashikuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg.
Lajmi u dha nga Shtëpia e Bardhë e cila sqaron se presidenti Biden anuloi dhe disa takime të tjera për shkak se iu desh t’i nënshtrohej me urgjencë një procedure të dytë dentare.
Mjeku i tij, Kevin C. O’Connor, pohoi përmes një deklarate se Bideni 80 vjecar-personi më i vjetër që ka shërbyer si president i SHBA-së – kishte “shqetësime” nga një dhëmb në anën e djathtë të nofullës së poshtme, e situata kërkonte ndërhyrje. Edhe pse në deklaratën e mjekut nuk u përmend asnjë rrezik për shëndetin e Bidenit, operacioni duket se ka qenë i paplanifikuar.
Shtëpia e Bardhë sidoqoftë njoftoi se amendamenti 25 i Kushtetutës amerikane nuk do të përdoret. Ky amendament, i miratuar më 1967, ka të bëjë me zëvendësimin e presidentit kur ai është i paaftë të kryejë detyrën.Jens Stoltenberg ka drejtuar aleancën ushtarake që nga viti 2014, periudhë gjatë së cilës mandati i tij është zgjatur tre herë.
Në fillim të këtij viti, ai bëri të ditur se në fund të shtatorit do të largohet. Përpjekjet për zëvendësimin e tij janë intensifikuar këto kohë përpara se liderët e aleancës ushtarake prej 31 anëtarësh, të mblidhen muajin e ardhshëm për takimin vjetor të nivelit të lartë, që zhvillohet në Vilnius të Lituanisë.
Top Channel