Një fshat i qetë në rajonin veriperëndimor francez të Bretagne është shokuar sot pasi një pensionist holandez ka qëlluar me armë ndaj fqinjëve të tij britanikë, duke lënë të vdekur një vajzë 11-vjecare.
Prindërit e vajzës mbetën të plagosur rëndë në episodin shokues të dhunës mes fqinjëve te konfliktuar.
“Kjo është një tragjedi,” tha pensionistja britanike Kim McKanney, e cila shetiste qenin e saj disa qindra metra larg skenës së krimit.
“Jam e shokuar që një familje të pësojë diçka të tillë, në këtë vend që dukej kaq i qetë, i paqtë e miqësor”, shtoi ajo.
Fshati në kodrat perëndimore të Bretanjes kishte qenë shtëpia e familjes tragjike britanike prej vitit 2019.
Babai Adrien T., kishte nisur të pastronte mbeturinat e barërat e këqija nga toka e tij, që më parë kishte qenë një mulli, por kjo kishte zemëruar çiftin e fqinjëve të tij 70 e 69 vjeçare që kishin kombësi holandeze.
Zyrtarët thanë se ata ishin shqetësuar nga zhurma e sharrës elektrike të Adrien si dhe nga fakti se shtëpia e tyre shikohej nga rruga pas krasitjeve.
Kryebashkiakja vendore Marguerite Bleuzen tha se zyrtarët ishin përpjekur të ndërmjetësonin mes familjeve por mendonin se nuk kihste asgjë alarmuese mes tyre.
“Ajo ishte toka e Adrien dhe mund të bënte ç’të donte me të”, tha Bleuzen.
Përveç problemeve me fqinjët, familja britanike dukej se po lëshonte rrënjë në fshat dhe dërgonte dy vajzat e tyre në shkollën lokale.
Nëna e tyre përshkruhej si një “person shumë i dashur” që punonte në kujdesjen për të moshuarit.
Familja kishte organizuar festa për fshatin dhe lejonte vizitorë në parkun në tokën e tyre.
Ndërsa vrasësi i dyshuar përshkruhej i tërhequr dhe banorët thonin se nuk e kishin parë shpesh në fytyrë, që kur çifti ishin vendosur aty në vitin 2017.
Hetimet vijojne.
Top Channel