Shtatë turistë të huaj mbetën për disa orë të bllokuar këtë të hënë në Kanionin e Langaricës, pasi reshjet e shiut rritën nivelin e ujit.
Lumi i Langaricës rriti prurjet, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Policia në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe anëtarët e federatës shqiptare “Rafting Albania”, kontrolluan zonën dhe lokalizuan turistët, duke i nxjerrë më pas nga vendi ku ishin bllokuar.
Sipas policisë, të gjithë turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në fund të muajit maj, një grua nga Gjermania humbi jetën në kanion, pasi e mori rrjedha e ujit. Bashkëshorti i saj 72-vjeçar mundi të shpëtojë.
Lexo edhe: Kanioni i Langaricës/ Edhe pas aksidentit të turistes gjermane, nuk ka masa sigurie
Njoftimi i policisë:
Ditën e sotme, në vendin e quajtur “Kanioni i Langaricës”, 7 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe anëtarët e federatës shqiptare “Rafting Albania”, kanë kontrolluar zonën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Langaricës.
Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e 7 turistëve nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.
Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar punonjësit e Policisë dhe shërbimet e tjera që i erdhën në ndihmë në kohë rekord.
Top Channel