Pas zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi të dielën, forca e re politike “Europa tani” kryeson në rezultatet e votimeve.

Partia e ish-presidentit, Milo Gjukanoviç renditet e dyta.

Partia e re e reformave, “Europa tani” të dielën (11.06.) ka marrë sipas llogaritjeve të fundit në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi 26% të votave. Kjo parti merr kështu 24 nga 81 mandate në parlament, sipas Institutit të Studimeve Zgjedhore, CDT në Podgoricë. Forca e dytë zgjedhore u rendit partia e Demokratëve Socialistë e ish-presidentit, Gjukanoviç, me 23% të votave dhe 21 mandate.

Pjesëmarrja zgjedhore kapi shifrën e 56%, dukshëm nën pritshmëritë e vëzhguesve. Sipas të dhënave, Komisioni Qendror do të japë rezultatin përfundimtar në ditët e ardhshme. “Europa tani” e krijuar në prill hyri në zgjedhje si partia më e preferuar nga zgjedhësit. Në të njëjtën kohë ajo mbështet afrimin me Serbinë. Edhe presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatovic vjen nga kjo parti. Kandidati kryesor i kësaj partie, Milojko Spajic që të dielën në mbrëmje ngriti pretendimin për postin e kryeministrit. “Është e qartë që ne do të krijojmë qeverinë e re pro-europiane”, tha ai në një konferencë për shtyp në Podgoricë. Por kjo parti ka nevojë për partnerë që të qeverisë në të ardhmen. Partia proeuropiane e DPS që ka qeverisur nga viti 1990 deri në 2020 në Mal të Zi e ka përjashtuar bashkëpunimin me Spajic.

Me zgjedhjet e së dielës lidhet shpresa e dhënies fund të krizës politike në Mal të Zi. Rregullisht ka pasur mocione mosbesimi dhe përplasje mes presidentit të atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe deputetëve. Në mars Gjukanoviç shpërbeu parlamentin dhe vendosi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA