32-vjetori i PS-së/ Rama-kryebashkiakëve të rinj: Arritëm fitore historike në 14 maj, por shqiptarët nuk janë të kënaqur

12/06/2023 19:37

Në Pallatin e Kongreseve ka nisur festa për 32-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.

Eventi nisi me një përmbledhje nga fushata elektorale dhe zgjedhjet lokale të 14 majit, ku socialistët fituan bindshëm përballë kundërshtarëve të tyre.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, tha se ‘faleminderit’ nuk mjafton, për të falënderuar burrat dhe gratë që sërish i besuan të majtës.

“Po ta përsëris fjalën ‘faleminderit’ nuk do të jetë kurrë mjaft për energjitë që gratë dhe burrat na kanë dhënë. Që nga Shkodra demokratike deri te Vlora socialiste. Nuk është mjaft as i gjithë turi i mirënjohjes, ku tani na ka mbetur Tropoja. Aty ku na mjaftuan 4 vjet për të bërë atë që të tjerët nuk bënë dhjetëra vite me radhë. Për herë të parë, tropojanët votuan për veten e tyre. Votuan për një Tropojë të rilindur pas 1001 vështirësive”.

Kryesocialisti shprehet se me gati 800 mijë vota në të gjithë vendin, PS përjetoi fitoren më të thellë.

“Pothuajse prekëm kuotën e 800 mijë votave. Si asnjëherë më parë, kemi 93 për qind të vendeve në Këshilla Bashkiakë. Kundërshtarët tanë prekën kuotën më të ulët. Për herë të tetë, u përbetuan për përmbysjeje të regjimit dhe për të tetën herë e nisën të nesërmen përmbys”.

Ndonëse festë, Rama theksoi se të gjithë kryebashkiakët e sapozgjedhur, duhet të kuptojnë se “shqiptarët nuk janë të kënaqur me ne”.

“Falë lidershipit të kryebashkiakëve të aftë dhe pasionantë, e kemi thelluar fitoren ndaj kundërshtarëve, që nuk kanë krijuar dot një histori të vetme suksesi në një bashki të vetme të Shqipërisë. Rezultati i bujshëm i 14 majit, është manifestimi i një pritshmërie të madhe të njerëzve për një ndryshim të mëtejshëm më të thellë dhe më gjithëpërfshirës. Duhet të jemi më të privilegjuarit në botë që shqiptarët këtë ndryshim e lidhin me ne. Kjo tregon shumë në mesin e mandatit të tretë qeverisës. Mos të mashtrohemi duke kujtuar se ata që na votuan janë të kënaqur me ne. Nguleni në kokë të vërtetën që shqiptarët nuk kanë si të jenë të kënaqur me ne”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA