Në një kohë kur presioni ndërkombëtar për shtensionimin e situatës në Veri është rënduar mbi qeverinë Kurti, me aleatët që kërcënojnë për vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Kosovës dhe shpalljen “non grata” të kryeministrit shqiptar, përpjekjet për rikthim në dialog duket se po kalojnë në një fazë të re, ndërsa SHBA ka lëshuar një “last offer” për Albin Kurtin.

Përmes një interviste për Zoran Korać, themelues dhe drejtor i Institutit për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, emnisari i Uashingtonit Gabriel Escobar i dha kreut të qeverisë së Kosovës atë që duket të jetë shansi i fundit për të pranuar kushtet e vendosura nga partnerët ndërkombëtar përpara se ta përjashtojnë plotësisht nga tryeza e bisedimeve.

Sipas Escobar, Albin Kurti është ndonjëherë një partner i vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai mbetet një partner.

Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë për të gjetur një mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian së bashku”- ka thënë Escobar, duke shtuar se SHBA-të do të vazhdojnë të ndërmjetësojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe pajtimin përfundimtar mes Serbisë dhe Kosovës.

Nëse Kurti do ta pranojë këtë ofertë të tipit “take it or leave it”, kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë me tensionet në Veri, koha nuk duket premtuese. SHBA-ja ka kritikuar vazhdimisht qëndrimin e vendosur të Kurtit, duke marrë masa sikurse përjashtimi i forcave të Kosovës nga programi i stërvitjes “Defender Europe 2023”.

Amerikanët së bashku me partnerët e tyre të bllokut evropian kanë paralajmëruar se në rast se Kurti vazhdon këmbënguljen e tij në veprimet në veri, Kosova nuk do ndihmohet nga partnerët ndërkombëtarë në “luftën” e saj me fushatën e Serbisë për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës, do ketë riorganizim të prezencës ushtarake e zvogëlim të kontingjentit të KFOR-it amerikan dhe përjashtim nga organizata të caktuara ndërkombëtare. Shto këtu që edhe vetë kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i tij i Brendshëm, Xhelal Sveçla, do të mund të shpallen “non grata” nën arsyetimin se paraqesin kërcënim për paqen dhe sigurinë.

Më herët u përfol edhe për një “lëvizje” të Albin Kurtit nga tryeza e bisedimeve për dialogun Kosovë-Serbi, duke kthyer në një aktore të dorës së parë në këtë fushë presidenten Vjosa Osmani.

Udhëheqësit dhe përfaqësuesi evropian, Macron, Scholz dhe Borrell, kanë tentuar gjithashtu të afrohen në bisedime me Vjosa Osmanin gjatë samitit të fundit në Bratislavë. Qëllimi, sipas zërave, ishte për të nxjerrë jashtë loje Albin Kurtin, pasi për ta ai është bërë i pakontrollueshëm.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Fillimisht duhet të them se jeni veteran i diplomacisë në Ballkan. Ju jeni lidhur me rajonin tonë për rreth 25 vjet.

Escobar: Po.

Pyetje: Jam përpjekur të llogaris sa kontakte dhe marrëdhënie personale keni pasur me politikanët më të shquar në territorin e ish-Jugosllavisë. U përpoqa të numëroja dhe dola me një numër 200-250.

Escobar: Kaq është.

Pyetje: Në vitet e fundit, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qendrat kërkimore dhe politikanët kanë qenë avokatë të prosperitetit afatgjatë, stabilitetit dhe marrëdhënieve të shëndetshme diplomatike në Ballkan. A do të vazhdojnë Shtetet e Bashkuara të ndjekin këto synime?

Escobar: Absolutisht. Ne do të mbetemi shumë të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Ndaj dua të nis duke thënë se edhe pse lajmet mbizotërohen nga tensionet dhe problemet politike. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja e fortë ekonomike dhe potenciali i fortë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka universitete të shkëlqyera, një fuqi punëtore të talentuar dhe një fuqi punëtore relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë në tejkalimin e disa problemeve politike.

Pyetje: Ju thatë se do të bëni të pamundurën për të futur vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. E keni akoma atë entuziazëm?

Escobar: Unë kam dhe mendoj se të rinjtë në rajon kanë të njëjtin entuziazëm. Shikoni, për të qenë i sinqertë, për sa i përket ritmeve të rritjes, rajoni është një treg me rreth 20 milionë banorë, një ekonomi prej rreth 120 miliardë eurosh me një normë mesatare rritjeje prej 7% ose më shumë. Kjo është pothuajse 5% më shumë se në disa vende më të mëdha të Bashkimit Evropian. Pra, Ballkani Perëndimor, kur të integrohet plotësisht në Evropë, do të jetë një nxitës i prosperitetit ekonomik, një nxitës i rritjes së vendeve të punës, dhe unë jam ende shumë entuziast për këtë. Sfida tani është nëse liderët e rajonit e shohin gjithashtu këtë mundësi, apo nëse ata do të mbeten të ngulitur në mendësinë e tyre aktuale të rivalitetit etnik dhe krizës politike në baza të përhershme.

Pyetje: Gjendja aktuale në Kosovë: turbulenca, tensione… çfarë mund të na thoni që kur keni qenë atje, mendoj dy-tri ditë më parë. Cila është situata? Çfarë po ndodh atje? Çfarë mund të presim?

Escobar: Po, çfarë kishim në Ohër: arritëm një marrëveshje. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore, konstruktive dhe të parashikueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, u larguam optimistë. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thoja se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i jepet fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Bashkësisë së Komunave Serbe. Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat.

Pyetje: A është Kurti  partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Escobar: Më duhet ta bëj të qartë  Z. Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë reciprokisht të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian së bashku. Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit. Pra, ne duam të përdorim marrëdhënien tonë të mirë për të ndihmuar në ndërmjetësimin në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA