Gjykata e Apelit urdhëroi lirimin e menjëhershëm të një 24-vjeçari i denoncuar nga një grua e divorcuar se e kishte dhunuar për shkak të lidhjes intime midis tyre.
Ndërsa i riu qëndroi në burg nën dyshimet e dhunës në familje, hetimet zbuluan se 45 vjeçarja, një nënë e divorcuar me dy fëmijë dhe që jetonte me qira në banesën e Arjet Xhetos prej muajsh refuzonte që të largohej nga banesa.
Në kulmin e konflikteve mes të dyve, njëri qiramarrës dhe tjetri qiradhënës gruaja i bindi për pak ditë autoritetet në Tiranë se ishte dhunuar për shkak të marrëdhënies së fshehtë. Ky version u konsiderua i pambështetur në gjykatën e apelit të kryeqytetit. Avokatja Vjollca Pustina deklaroi për Top Channel se mbas arrestimit të 24 vjeçarit, konflikti për është zgjidhur nga të afërmit e tij që e kanë larguar qiramarrësen.
“Zonjës i është refuzuar kërkesa për urdhër mbrojtjeje disa herë, përpara se djali të arrestohej. Ajo e ka bërë t’i zaptojë shtëpinë. Gjykata ka urdhëruar që zonja me dy fëmijë duhet t’i qëndrojë larg djalit”, tha avokatja Vjollca Pustina.
Në Tiranë konfliktet që gjenerohen nga problemet mes qiramarrësve dhe qiradhënësve kanë gjeneruar një trend të ri krimi. Duke nisur nga fyerjet, sharjet, rrahjet deri tek plagosjet, që ndodhin midis të dyja palëve jo vetëm kur banesa është dhënë me qira përpara noterit, por edhe kur është lëshuar në mirëbesim.
“Ky është një trend që ka dy vjet që po ndodh, dhe më së shumti trajtohet si një çështje juridiko-civile”, tha avokatja Pustina.
Në një rast policisë ju kërkua ndihmë që të gjejë një qiramarrës, mbasi sipas denoncimit kur pronari mbërriti në shtëpinë pranë Tiranës së re ai e gjeti të boshatisur.
Por ngjarja më e rëndë e shënuar deri më tani është vrasja e Petrit Vuksanit i cili u qëllua nga qiramarrësi i shtëpisë Lek Vuksani. Ai tha në gjykatë se e vrau mbasi nuk kishte para për ta likuiduar të zotin e shtëpisë. Në pjesën dërrmuese të këtyre konflikteve, kur pronarët e banesave nuk i bindin qiramarrësit të lënë banesën, ata kërkojnë ndihmën e policisë që e konsideron mosmarrëveshjen si çështje civile që duhet zgjidhur në gjykatë.
Top Channel