Me cisternat e naftës që ankorohen ditët fundit të ardhura nga Rusia e Meksika, Kuba thotë se pret një zbutje të mangësive të rënda të karburanteve në të ardhmen e afërt, shkruan rrjeti i majtë kanadez DigitalJournal.
Prej fundit të marsit, radhë makinash në pikat e karburanteve janë bërë pamje të zakonshme në qytetet e ishullit komunist, aq sa pikat e karburanteve kanë krijuar grupe interneti për të organizuar klientët e tyre.
Kuba nën embargon e SHBA, po kalon krizën më të rëndë ekonomike te tre dekadave, teksa prodhon vetëm një të tretën e karburantit që ka nevojë çdo ditë.
Sipas rrjetit të gjurmimit të anijeve Vessel Finder, cisterna meksikane Bicentenario, me ngarkesë 265,000 fuçi naftë, mbërriti dje në portin e Havana, e ankoruar pranë rafinerisë Nico Lopez të kryeqytetit, raporton rrjeti AFP.
Ndërsa në fund të majit super-cisterna me flamur kamerunas Limo, erdhi nga Rusia në portin Matanzas me rreth 800,000 fuçi.
Vicente de la O Levy, ministri i energjisë ka thënë se prej javëve të fundit do të ketë një “rikuperim të mangësive në karburante” dhe reduktim të “radhëve të pakëndshme.”
Rafineria e Havanës mund të përpunojë 22,000 fuçi nafte në ditë, të cilat furnizojnë kryeqytetin për gati tre javë, thotë Jorge Pinon, analist i Amerikës latine në University of Texas.
Mbërritja e Bicentenario është e treta këtë vit, shton Pinon, teksa presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, po ndërmjetëson për zbutjen e sanksioneve të SHBA ndaj Kubës duke ruajtur njëkohësisht lidhjet kordiale me Uashingtonin. https://www.digitaljournal.com/business/mexican-and-russian-oil-shipments-ease-cuban-fuel-crisis-2/article#ixzz84Fld4oh6
Top Channel