Një serrë me bimë kanabisi është gjetur në fshatin Shqezë të Krujës.

Sipas policisë, në parcelë ishin kultivuar 108 bimë, të cilat janë asgjësuar me anë të djegies. Ende nuk dihen kush janë autorët, ndërkohë që ka nisur hetimi.

Deri më tani, në kuadër të operacionit “Territor i pastër”, janë asgjësuar në total 7647 bimë narkotike cannabis sativa, pas kontrolleve në zonat malore të rrethit, të asistuar dhe nga dronë.

Njoftimi i policisë:

Skuadra të posaçme policore, të përbëra nga efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, kanë vijuar kontrollet në zonat malore të rrethit, të asistuar dhe nga dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Nga këto kontrolle, gjatë fazës së 13-të të megaoperacionit “Territor i pastër”, në fshatin Shqezë, Krujë, u gjetën të kultivuara në tokë, 108 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për përcaktimin e autorësisë së kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA