Putin vlerëson se kundërofensiva e Ukrainës ka dështuar

09/06/2023 21:45

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten, më 9 qershor, se kundërofensiva e madhe që Ukraina ka përgatitur prej muajsh, ka “filluar” në front, por se forcat e Kievit nuk kanë mundur “të arrijnë qëllimet e tyre”.

“Mund të themi, plotësisht, se ofensiva ka filluar, gjë që dëshmohet nga përdorimi i rezervave strategjike të Ukrainës”, tha Putin në një video-incizim, i cili është transmetuar në Telegram nga një gazetar i televizionit publik rus.

Sipas tij, luftimet kanë vazhduar për pesë ditë, por “forcat ukrainase nuk ia kanë arritur qëllimit në asnjë front”, shkruan AFP.

“Të gjitha përpjekjet kundërofensive, deri më tani kanë dështuar, por regjimi ukrainas ka ende potencial sulmues”, shtoi Putin dhe deklaroi se përgjigja e Rusisë “do të bazohet në atë vëzhgim”.

Ushtria ruse ka raportuar se ditët e fundit janë zhvilluar luftime intensive në jug të Ukrainës, duke pretenduar se ka zmbrapsur disa sulme ukrainase, të cilat do të paraqisnin fillimin e një kundërofensive të madhe, të cilën Shtabi i Përgjithshëm ukrainas e ka përgatitur për muaj të tërë.

Autoritetet e Ukrainës, ushtria e së cilës tani është e pajisur me pajisje moderne perëndimore, duket se po i zvogëlojnë luftimet. Autoritetet edhe më tej nuk flasin për strategjinë e tyre./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA