“Të mos ketë shqiptar me të ardhura më pak se 18 800 lek në muaj” kjo është kërkesa kryesore e një grupi deputetësh mbështetës të Sali Berishës, të cilët kanë dorëzuar në kuvend propozimin për miratimin e minimumit jetik, që do të thotë minimumin e të ardhurave të nevojshme për të jetuar mirë në Shqipëri, me synimin për të zbutur varfërinë.
“Minimumi jetik duhet, por jo kaq pak 200 mijë lek. Çfarë mund të bësh me aq lek, nuk të dalin. Duhet menduar mirë”- tha qytetari.
Ky projektligj i propozuar nga opozita është bazuar në studimet ndër vite nga ekspertë të pavarur por edhe raporte të plota që përllogarisin masën e minimumit jetik për të forcuar mbrojtjen sociale në Shqipëri, për individë që kanë mundësi të kufizuara mirqënie.
Shqiptarët në moshë pensioni me pensione të vogla, apo personat me aftësi të kufizuara janë përfituesit kryesorë, por edhe personat të cilët kanë intensitet të ulët punësimi.
Gjithashtu, pjesë përfituesve mund të jenë edhe ata individë të cilët nuk arrijnë të pushojnë një javë në vit, nuk sigurojnë dot një telefon apo televizor me ngjyra, kanë pamundësi për një vakt me mish, pulë , peshk një herë në dy ditë, nuk kanë një makinë apo lavatriçe.
Ata parashikohet në projektligj të kenë të drejtën të aplikojnë në njësinë administrative për të marr minimumin jetik.
Përpjekjet për vendosjen e një tavani minimal të ardhurash për familjet shqiptare janë të hershme, së fundmi është angazhuar Berisha me deputetët e tij, të cilët presin që propozimi i tyre të diskutohet në komisionet parlamentare, me shpresën se do të marr dakordësinë për t’u miratuar në seancat e ardhshme plenare.
Top Channel