Ish-kreu i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj është shprehur përplasjet e mesnatës së djeshme në mbledhjen e Kryesisë së PD-së nuk janë presione por gjendje emocionale.
Përmes një deklarate për shtyp në ambientet e jashtme të Kuvendit, Alibeaj theksoi se nuk ka pasur asnjë dhunë nga militantët e Bashës, por vetëm fjalë. I pyetur edhe nëse Bardhi pati një qëndrim emocional për braktisjen e takimit, duke mos votuar për hapjen e garës për kryetar, Alibeaj tha po.
“Qëndrimet emocionale mos i merrni. Deri diku po. Në mbledhjen për aq sa zgjati, ane prej anëtarëve të kryesisë nuk ka qenë në presion. Unë isha në mbledhje, po them atë që mendoj dhe perceptoj unë. Ka pasur qëndrime të ndryshme, ku kanë brenda emocione dhe tensione. Por nuk është kërcënim.
S’ka pasur presion. Ju mund ta perceptoni kështu. Nëse ju e konsideroni veten anëtarë të Kryesisë, edhe mundet. Kryetarët e degëve janë PD, ata që në 8 janar ishin në mbrojtje të deputetëve. Jua kërkoj unë ndjenjën nëse kjo është pak… ose jua them dhe dy herë. Por ju kërkoj të nxirrni atë që është problemi kryesor. Në mbledhjen e Kryesisë është thënë opinioni i gjithsecilit për mënyrën se si duhet të ecë përpara PD-ja.
Unë jam me idenë sipas rregullave të Kryesisë, mbledhjet nuk duhet të dalin në publik. Është një lloj solidariteti, ruajtje e privatësisë, e megjithatë për sa kohë është çështje publike, do duhet që PD-ja një orë e më parë të marrë formën e plotë të funksionimit të saj. Zgjatja e drejtimit të saj edhe me kryetar të komanduar, nuk ishte zgjedhja më e mirë. Ka qenë një vendim i Kryesisë dhe grupit parlamentar.
Do duhet të heqim dorë dhe nga historia që fati i një partie vendoset nga emri individual i një njeriu. Rregulli është të vendosim rregulla në statut që e bëjnë jo të domosdoshëm, jo determinant se cili është kryetari i partisë. Unë propozova një statut të ndryshuar, një kuvend të jashtëzakonshëm në shtator. Unë mbështes një parti me rregulla statutore demokratike me pushtete të ndara. Me pushtete që kontrollojnë kryetarin, me pushtete që delegohen”- tha Alibeaj.
I pyetur se si mund të rikthehet Basha si kryetar pas disa humbjeve radhazi, Alibeaj shprehet se kjo është në duar të demokratëve. I ndalur te qëndrimet e Berishës, se deputetët në Kryesi u përballën me sharje dhe kërcënime rrugeçërish, Alibeaj tha se “kostoja më e madhe e Shqipërisë është se ky vend nuk shkëputet dot nga e shkuara 30-vjecare.”
“Nuk duhet të shfokusohemi nga ajo çfarë po ndodh. Ka të drejtë të kandidojë kushdo për kryetar partie. Nëse kemi arritur sot si para viteve 90, ku iu thoshim disa njerëzve që nuk keni të drejtë të kandidoni atëherë unë besoj se kjo nuk është ajo që kërkon Shqipëria dhe as demokratët.”
“Ta vlerësojnë anëtarët e Partisë Demokratike. Pse nuk keni besim ju? Kostoja më e madhe e Shqipërisë është se ky vend nuk shkëputet dot nga e shkuara 30-vjecare. Pyetja që ju duhet të bëni është të sit ë shkëputemi nga e shkuara”- përfundoi Alibeaj.
Top Channel