Universiteti i Tiranës nderoi sot me titullin “Doctor Honoris Causa” zonjën Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian dhe njëherazi mike e çmuar të Shqipërisë.
Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen për gjithçka që Mogherini ka bërë për Shqipërinë, për shqiptarët edhe për rajonin.
“E vërteta është që unë erdha thjeshtë për të nderuar Federikan si një mike e çmuar e vendit tonë, por edhe mund ta them si një mike speciale e imja personalisht dhe i thashë dhe ministres, mos i thuaj rektorit e do vij vetëm për të qenë aty si gjithë të tjerët dhe s’doja të merrja asnjë hapësirë nga ceremonia, por kështu është kur je më i gjatë seç duhet. Bie në sy edhe të del emri.
Megjithatë, unë përfitoj nga rasti të them disa fjalë. Federika meriton me siguri edhe më shumë se kaq.
Universiteti ka bërë një gjest kuptimplotë edhe të lavdërueshëm duke i dhënë Federikës këtë titull dhe duke e përfshirë në radhën e atyre emrave që rektori citoi dhe të cilët sigurisht janë personalitete shumë të spikatur botërisht.
Nëse do të bëja një veçim të Federikës nga ajo radhë, do ta bëja duke pasur parasysh angazhimin e saj personal dhe të vazhdueshëm në mbështetje të Shqipërisë, në mbështetje të përpjekjeve tona për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit europian, në mbështetje të nevojës tonë për të pasur zërat që na ndihmonin dhe na ndihmojnë për argumentet tona, në raport me atë që është një gjykatë e përditshme e punës dhe rezultateve, flas për Brukselin, dhe padiskutim edhe për angazhim e jashtëzakonshëm të saj në funksion të paqes, në funksion të normalizimit dhe të rritjes së bashkëpunimit në rajon.
Unë besoj se Federika është një prej atyre shumë personaliteteve dhe figurave përfaqësuese të botës europiane që kanë pasur të bëjnë në këtë rajon, kanë pasur të bëjnë me vendin tonë, por është një ndër pak që e ka bërë këtë detyrë, në raport me ne dhe me rajonin më shumë se sa si një detyrë.
E ka bërë si shprehje e një pasioni politik dhe e një pasioni qytetar, si një europiane e bindur, e paepur, e palëkundur deri në fund për dobinë e Bashkimit Europian dhe për domosdoshmërinë e një Bashkimi Europian të plotë me të gjithë popujt e Europës si pjesë e tij.
Unë për Federikan mund të flas edhe më gjatë se zakonisht dhe ju e dini që unë shquhem për fjalime të shkurtra, por do të ndal këtu sepse realisht nuk dua të marr më shumë hapësirë dhe kohë nga kjo ceremoni kuptimplotë dhe dua t’i shpreh Federikas edhe këtu mirënjohjen për gjithçka ajo ka bërë për Shqipërinë, për shqiptarët edhe për rajonin dhe dua të shpreh publikisht kënaqësinë e madhe që Federika do të vijë më shpesh në Shqipëri, tanimë si drejtore e Kolegjit të Europës sepse faktikisht ne kemi nisur punën për Kolegjin e Europës në Tiranë që do të jetë pjesa e tretë e Kolegjit të Europës që qendrën e ka në Bruzh (Bruges), një krah e ka në Poloni dhe krahun tjetër do ta ketë në Shqipëri.
Është diçka vërtet e jashtëzakonshme për ne. Diçka që do të ishte shumë e vështirë ta imagjinonim vetëm deri disa vite më parë që Shqipëria do të bëhej vendi i Kolegjit të Europës dhe patjetër që edhe për këtë një falënderim i veçantë i takon Federikas, e cila ka qenë mbështetëse pa rezervë e kësaj ideje.
Natyrisht, ta themi midis nesh se këtu nuk na dëgjon njeri, jam i bindur që Federika e ka bërë këtë edhe për veten e vet, sepse duke qenë detyruar të jetojë në atë “grinë e Bruzhit, pasja e një zyre edhe këtu në Shqipëri është vërtet një lehtësim i madh, por kjo është e natyrshme. Ne si njerëz që ndajmë detin me njëri-tjetrin e kuptojmë shumë mirë si funksionon në këto raste. Kështu që, europiane deri në fund, italiane nga fillimi në fund”- tha Rama.
Top Channel