Një Kuvend Pajtimi është propozimi i disa demokratëve si mundësi për zgjidhjen e krizës në Partinë Demokratike.
Duke vlerësuar se humbja e thellë në zgjedhjet e 14 majit, duhet të shërbejë si moment reflektimi, Helidon Bushati kërkon krijimin e një platforme për bashkimin e të gjithë frontit opozitar.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Bushati shprehet se është koha të vlerësohen figurat e reja dhe ata që kanë humbur të bëjnë një hap pas, duke tejkaluar interesat personalë.
Deklarata e Helidon Bushatit:
Duhet Kuvend Pajtimi!
Zgjedhjet vendore të 14 majit na dëshmuan më së miri se të ndarë humbasim të gjithë.
Referuar situatës së pazakontë nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike përgjatë këtyre viteve si dhe humbjes apo disfatës në zgjedhjet që lëmë pas, ky moment duhet të jetë një mundësi për ndërgjegjësim, reflektim objektiv dhe jo një mundësi për të gjetur alibi apo justifikime për humbjen.
Ajo çfarë kam propozuar, çfarë besoj dhe kam besuar që nga shtatori i vitit 2021, se ajo çfarë i shërben më shumë se kurrë demokratëve dhe Partisë Demokratike në këto momente është krijimi i një platforme për bashkimin e të gjithë frontit opozitar nëpërmjet një Kuvendi Pajtimi me njerëz dhe strategji komunikimi të re e të vërtetë me të cilën i drejtohemi çdo demokrati, opozitari dhe qytetari të këtij vendi.
Vlerësoj se është më e drejtë dhe dinjitoze duke filluar nga UNË dhe shumica e atyre që kemi humbur sfida në nivel qarqesh apo në nivel kombëtar se është koha të bëjmë një hap pas dhe të jemi mbështetje për figurat e reja që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe do të marrin përsipër përgjegjësinë për ta ringritur atë bashkë me ne.
Ky është detyrimi ynë, vetëm kështu mund të ringrihemi. Jemi ne ata që duhet t’iu japim mundësinë dhe të mbështesim fort formësimin e një klase të re politike në drejtim të Partisë Demokratike.
Miq, është koha të lëmë pas akuzat drejtuar ndaj njëri tjetrit, si e si për të gjetur fajtorin, fajtori i vetëm është përçarja e krijuar mes nesh.
Partia Demokratike për tu ringritur duhet të mbështet tek e vetmja zgjidhje e shëndoshë që kapërcen çdo interes personal, zgjidhja e vetme duhet të gjendet tek krijimi i një fronti të gjerë opozitar. Organizimi, siç e kam artikuluar në çdo mbledhje grupi i një Kuvendi Pajtimi nga i cili të dalim me një strukturë drejtuese kolegjiale gjithëpërfshirëse, të përkohshme dhe me një strategji të re komunikimi e cila ti përgjigjet kohës.
Besoj fort se ky është i vetmi instrument që do na mundësojë të ringrihemi.
Këtë të mërkurë, Kryesia e Partisë Demokratike doli me vendimin për hapjen e garës për kreun e ri të partisë me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, pas rreth 10 orë mbledhje.
Vendimi u mor që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik. Mbledhja e Kryesisë së PD-së u përfshi nga debate mes anëtarëve. Disa prej anëtarëve braktisën mbledhjen, duke kundërshtuar vendimin, mes tyre Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati dhe Dhurata Çupi.
Pasi dalën nga mbledhja, u përballën me kërcënime dhe ofendime të militantëve mbështetës të Lulzim Bashës, mes të cilëve edhe Helidon Bushati.
Kryesia la afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturat për kreun e PD-së, ndërsa kandidatët do të kenë rreth një muaj afat për fushatë zgjedhore. Nga ana tjetër, mes shumë debateve në kryesi, Jorida Tabaku dha dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Demokratike.
Top Channel