Ministria e Shëndetësisë, megjithëse e ka përfunduar nuk ka lançuar ende strategjinë e re të shëndetit mendor, që do të shtrojë piketat se si do të ecë kjo degë e rëndësishme deri në vitin 2030. Po ashtu në sirtar ka mbetur edhe plan veprimi 2023-2026 që detajon funksionin e çdo strukture.
Pa transparencë dhe të zhytur në heshtje, strukturat monitoruese të spitaleve psikiatrike janë Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor, i cili është organ këshillimor i Ministrit të Shëndetësisë si dhe Avokati i Popullit si monitorues i jashtëm, nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues.
Mirëpo komiteti kombëtar ka qenë thuajse inekzistent, ndaj me sa duket në strategjinë e re ai do të reformohet.
“Jemi në momentin shumë të rëndësishëm për ridimensionimin për komitetin kombëtar të shëndetin mendor. Përse Shqipëria të mos ketë edhe nënkomitete të dedikuara për kategori të caktuara? Për të miturit, për adoleshentët, për gratë për personat që janë në konflikt me ligjin”, u shpreh Drejtoresha e Institutit për Aktivizëm dhe Ndryshim Social, Erinda Bllaca.
E vetmja dritare që ofron një pamje se çfarë ndodh në spitalet psikiatrike janë monitorimet e përvitshme të “avokatit të Popullit”. Dhe raportet e publikuara nga Avokati nuk paraqesin aspak një situatë optimiste.
“Shqipëria është një vend i cili ka mungesë të theksuar të shërbimeve në komunitet, por edhe mungesë transparence. Është shumë e vështirë dhe të gjej se cilës derë ti trokas, dhe drejtoria përkatëse në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e shërbimeve elektronike duhet të ketë krijuar një paketë se ku duhet të shkojë një qytetar, çfarë duhet të adresojë, çfarë duhet të ketë kujdes”, tha Erinda Ballanca.
Spitali Psikiatrik “Sadik Dinçi” Elbasan përbëhet nga 8 pavijone me kapacitet prej 310 shtretërish, dhe dy shtëpiza mbështetëse një në Elbasan dhe një në Cërrik. Por siç edhe e dëshmon për të disatën herë inspektimi nga Avokati i Popullit, shpeshherë mënyra se si trajtohen në spitalet psikiatrike të sëmurët është një rrugë pa kthim.
“Ne mbetemi të mendimit se spitali i Elbasanit se personat trajtohen në kushte jo të një neglizhence mjekësore, por zgjedhja e parë është dhënia e dozave të ilaçeve dhe rehabilitimi mbetet një sfidë jo e vogël”, u shpreh avokatja e popullit Erinda Ballanca.
Ky është spitali i psikiatrik e Elbasanit. Prej vitesh Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se do të nisë rikonstruksionin, por ai vijon të ofrojë këtë shërbim delikat në kushte jo të përshtatshme. Në këtë spital më shumë se 50 person janë pacientë të përhershëm pasi janë braktisur nga familjarët. Gjatë inspektimeve Avokati i Popullit ka gjetur se në këtë spital janë të vendosur 10 persona në një sallë. Po ashtu dhoma e izolimit dhe mjetet e forcës nuk janë sipas standardeve.
“Nuk garantojnë as ato kushte që janë të garantuara në sistemin peritenciar, duhet të kenë 4m² për person…pra nuk kanë protokolle se sa duhet të jetë hapësira, që janë kushte minimale të garantuara edhe në sistemin peritenciar. Tani kuptoni që sistemi peritenciar me sistemin shëndetësor duhet të dallime të rëndësishme të trajtimit të personave., sepse edhe pritshmëritë aty për tu shëruar janë shumë të mëdha”, u shpreh Erinda Ballanca.
Me kapacitete të kufizuara, sistemi shëndetësor shqiptar, në vend që të parandalojë, rrezikon që ti bëjë kontigjent për spitalet psikiatrike të sëmurët me probleme të shëndetit mendor.
Në të katër spitalet psikiatrike avokati i popullit ka rekomanduar përmirësimin e kushteve në pavijone, ngrohje, dushe dhe tualete në mënyrë që të ofrohet një shërbim sa më dinjitoz të personave që trajtohen në spitalet psikiatrike. Kuptohet se në këto kushte rehabilitimi bëhet i vështirë, pasi mungon edhe baza e nevojshme materiale për stafet psiko-sociale.
“Unë nuk kam parë rritje të kapaciteteve të shtëpive pritëse të shërbenin si një pjesë e ndërmjetme mes spitalit dhe daljes në komunitet, nuk shoh politika thelbësira efektive për punësimin e këtyre personave, mundësimin e tyre për rifutjen në jetë nëpërmjet punësimit dhe pastaj gjendemi në situata jo fort të përshtatshme” -tha avokatja Erinda Ballanca.
Top Channel