Taulant Balla u kthye sërish në SPAK pas kërkesës së prokurorëve për ta ridëgjuar mbi ish kompleksin Partizani, dikur pronë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe që pas privatizimit në vend të tij u ndërtuan pallate.
Si kallëzues, kreu i grupit parlamentar të PS u pyet përmbi një orë për detaje shtesë mbi hetimin ku të denoncuar prej politikanit janë ish kryeministri Sali Berisha dhe ish anëtarë të kabinetit gjatë vitit kur ndodhi tjetërsimi i pronës.
“Dua t’i qëndroj angazhimit përpara prokurorëve se çështjet për të cilat diskutova sot të mbeten pjesë e sekretit hetimor me shpresën se do i shkohet deri në fund. Unë jam thirrur sot si një person i cili ka dijeni dhe natyrshëm që kam dhënë shpjegimet e mia për çështjen”-tha Balla.
Megjithatë kjo çështje nuk ka ende persona të hetuar, por vetëm një procedim të regjistruar për veprën e pastrimit të parave.
“Një prej rasteve tipike të korrupsionit në vend, pra të përdorimit të detyrës shtetërore nga ana e vjerrit në dobi të dhëndrit duhet të marrë fund.”- thotë Balla.
Më herët për privatizimin e 10 mijë metrave katrorë tokë, janë pyetur edhe ushtarakë dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, që të gjithë si dëshmitarit.
Top Channel