Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dhjetëra personave dhe entiteteve në Iran, Kinë dhe Hong Kong, duke i akuzuar për një rrjet që mbështet programin ushtarak dhe të raketave të Iranit, teksa Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Teheranit.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se ky rrjet ka kryer transaksione dhe ka ndërmjetësuar në blerjen e pjesëve të ndjeshme, kritike dhe të teknologjisë për zhvillimin e raketave balistike të Iranit, përfshirë për Ministrinë iraniane të Mbrojtjes dhe Forcat e armatosura logjistike, që janë nën sanksione amerikane.
Në mesin e të sanksionuarve është edhe atasheu i mbrojtjes së Iranit në Pekin, Davoud Damghani, që Thesari e ka akuzuar për koordinim të blerjeve të pajisjeve që lidhen me ushtrinë. Këto blerje thuhet se janë bërë nga Kina për përdoruesit iranianë.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shënjestrojnë rrjetet keqdashëse transnacionale që fshehurazi mbështesin prodhimin e raketave balistike të Iranit dhe programet e tjera ushtarake”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.
Sanksionet amerikane vijnë një ditë pasi Irani pretendoi se ka krijuar një raketë hipersonike, që sipas Teheranit, është e aftë për t’i mposhtur mbrojtjet ajrore dhe fluturon me shpejtësi 15 herë më të madhe se shpejtësia e zërit./ REL
Top Channel