SHBA-ja sanksionon shtatë rusë: Tentuan ta destabilizojnë edhe Ballkanin

05/06/2023 20:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë sanksionuar shtatë anëtarë kryesorë të një grupi rus, të lidhur me shërbimet e inteligjencës, për tentimet e tyre për ta destabilizuar Ballkanin, Moldavinë, Ukrainën, BE-në, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas deklaratës së lëshuar nga Departamenti amerikan i Thesarit më 5 qershor, ata luajtën rol të rëndësishëm në fushatën ruse për ta destabilizuar Moldavinë dhe për ta nxitur një kryengritje atje.

“Këta operativë me ndikim malinj analizojnë vendet e cenueshme ndaj shfrytëzimit dhe ushqejnë frikën që minojnë besimin në parimet demokratike në vendet e synuara,” thuhet në deklaratë.

Shtatë të sanksionuarit akuzohen për provokim, trajnim dhe mbikëqyrje të protestuesve në Moldavi me qëllim për ta rrëzuar presidenten Maia Sandu dhe qeverinë e re me prirje perëndimore, në fillim të këtij viti.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se Konstantin Sapozhnikov, njëri nga individët e sanksionuar, e drejtoi grupin dhe gjithashtu organizoi komplotin për ta destabilizuar qeverinë moldave. Personat e tjerë të sanksionuar janë Yury Makolov, Gleb Khloponin, Svetlana Bojko, Aleksei Losev, Vasily Gromovikov dhe Anna Travnikova.

Në shkurt dhe mars, disa mijëra njerëz dolën në rrugë në kryeqytetin moldav, Kishinau, kundër presidentes Sandu dhe qeverisë pro-perëndimore të Moldavisë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Sandu dhe i kërkuan qeverisë t’i paguajë faturat e qytetarëve pas rritjes së çmimeve të energjisë të shkaktuar nga vendimi i Rusisë për t’i ulur eksportet e gazit natyror në Evropë.

“Tentativat e Rusisë shfrytëzojnë shqetësimet e qytetarëve të këtyre vendeve, për t’i destabilizuar qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime për interesat e vetë Moskës. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara, së bashku me BE-në, të synojnë individë që përfshihen në aktivitete të tilla kundër qeverisë së Moldavisë“, tha në deklaratë nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson.

Shumë persona në mesin e turmës u identifikuan si të lidhur me Partinë Shor, të afërt me Rusinë. Ilan Shor, manjati që themeloi Partinë Shor, u largua nga Moldavia pas zgjedhjes së Sandu më 2019.

Sandu dhe qeveria duan që Moldavia, një ish-shtet i varfër sovjetik, të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe t’i shpëtojë ndikimit të Moskës. Kremlini kundërshton animin e Moldavisë drejt Perëndimit dhe ka përdorur burimet e saj energjetike si një mjet për ta ndëshkuar atë.

Megjithatë, Rusia ka mohuar çdo përfshirje në ndonjë komplot të fshehtë për ta destabilizuar Moldavinë./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA