Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, beson se vendi i tij ka mjaftueshëm armë për ta nisur kundërofensivën ndaj Rusisë.
Kuleba, në një deklaratë të dhënë për agjencinë e lajmeve Reuters më 5 qershor, tha se kundërofensiva do t’ia japë Ukrainës fitoren që i duhet për anëtarësim në NATO.
Anëtarësimi në aleancën ushtarake “ndoshta” do të ishte i mundur për Ukrainën vetëm pas përfundimit të luftës më Rusinë, tha Kuleba gjatë një intervistë në Kiev.
Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka lënë të kuptohet se Ukraina mund të nisë një kundërofensivë për t’i rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia, duke përdorur tanke, makina të blinduara dhe artileri të dhuruara nga aleatet e saj të Perëndimit.
Kuleba nuk iu përgjigj pyetjet se a kishte filluar kjo kundërofensivë apo jo. Por, ai tha se gjëja më e rëndësishme nuk është fillimi i saj, por përfundimi i saj me fitoren e Ukrainës.
Ai gjithashtu tha se anëtarësimi në NATO ishte synimi tjetër i madh në agjendën e Ukrainës pasi disa nga aleatet e saj ranë dakord të trajnonin pilotët ukrainas në avionët luftarakë F-16 të kërkuar nga Kievi.
“Anëtarësimi në NATO nuk mund ta ndalojë këtë luftë, por anëtarësimi në NATO do t’i ndalojë luftërat e mëtejshme. Kjo është arsyeja pse mënyra më e mirë për ta garantuar sigurinë në rajon është të vijë momenti kur Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s”, tha ai.
Më herët këtë muaj, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e bëri të qartë se Ukraina nuk do të mund të anëtarësohet në NATO përderisa lufta kundër Rusisë vazhdon.
“Anëtarësimi në mes të një lufte nuk është në agjendë”, tha ai. “Çështja është se çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta”./REL
Top Channel