Në pritje të një kundërsulmi nga forcat ukrainase në fushëbetejë, presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar avancimin e bisedimeve të paqes në lidhje me konfliktin në Ukrainë, bazuar në kushtet e vendosura nga Kievi.
Duke iu drejtuar konferencës së sigurisë GLOBSEC në Bratislavë, më 31 maj, Macron theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Ukrainës pa bërë asnjë kompromis dhe theksoi se Kievi aktualisht ka avantazhin në fushëbetejë.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm”, tha presidenti francez për lëvizjet e pritshme ushtarake nga Kievi.
“Çfarëdo që të ndodhë, unë besoj se ata [ukrainasit] do ia dalin”, tha ai.
Megjithatë, Macron paralajmëroi kundër parashikimit se ofensiva ushtarake do të çonte në një përparim të rëndësishëm në negociatat diplomatike me Moskën për t’i dhënë fund luftës.
Kundërofensiva “nuk do të krijojë pranim de facto nga rusët për të negociuar”, tha Macron.
Megjithë shprehjen e kujdesit ndaj bisedimeve diplomatike me Kremlinin, Macron tha se “një energji e re” për t’u angazhuar në diplomaci nga vendet në jug global është duke u zhvilluar dhe se kjo mund të çojë në një proces paqeje përfundimtar që nuk është “armëpushim” në muajt e ardhshëm.
“Nëse pranojmë një armëpushim ose një konflikt të ngrirë [në Ukrainë], koha do të jetë në anën e Rusisë”, tha Macron.
Komentet vijnë pasi The Wall Street Journal raportoi se Ukraina dhe aleatët e saj po planifikojnë një samit të liderëve globalë që do të përjashtonte Rusinë dhe do të synonte të mblidhte mbështetje për kushtet e Kievit për përfundimin e luftës.
Raporti, i cili citonte zyrtarë të lartë ukrainas dhe diplomatë evropianë, tha se planet për samitin ishin në fazat paraprake dhe Macron kishte lobuar që të përfshinte gjithashtu vende që kanë qenë në anën e Rusisë ose kanë refuzuar të marrin një pozicion për luftën, si Kina, India, Brazili dhe Arabia Saudite.
Në përgjigje të një pyetjeje nga audienca teksa ishte në skenë në konferencën GLOBSEC, Macron tha se Evropa duhet të “sigurojë garanci të qarta dhe të prekshme sigurie” për Ukrainën dhe përparimi mund të arrihet në samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius në qershor, megjithëse ai paralajmëroi se ai nuk pret që takimi të arrijë një konsensus.
“Unë mendoj se ky debat do të ndodhë në Vilnius dhe kjo është ajo që ne do të diskutojmë me kancelarin [gjerman] [Olaf] Scholz javën e ardhshme, poe edhe me lojtarë të tjerë”, tha Macron.
“Por ne kemi nevojë për një rrugë drejt anëtarësimit në [NATO] për Ukrainën”, tha ai./ REL
Top Channel