Përfundon faza e katërt e megaoperacionit policor të koduar “Alpe të pastra”, e zhvilluar prej dy ditësh, nga strukturat operacionale të DVP Shkodër dhe të komisariateve të Policisë Shkodër dhe Vau i Dejës.
Gjatë kësaj faze u angazhuan 90 forca policore dhe 6 dronë. Nga kontrollet u gjetën dhe u asgjësuan në total 1030 bimë narkotike kanabis.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se, në ditën e parë të kësaj faze u asgjësuan 830 bimë narkotike e llojit kanabis të kultivuara në fshatin Sumë, njësia adminstrative Pult.
Sakaq, në ditën e dytë u asgjësuan edhe 200 bimë kanabisi të kultivuara në territorin e fshatit Vjerdhë, Vau i Dejës.
Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon. Policia e Shkodrës apelon për të gjithë banorët e zonave malore të qarkut dhe për të gjithë fermerët që të mos përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të denoncojnë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, çdo indicie që mund të kenë për këtë veprimtari kriminale.
Top Channel