Nuk ishte kostumi zyrtar që mbante veshur, më i rëndësishëm sesa dokumentet që shfletonte ndër duar.
Alqi Bllako u shfaq tejet i fokusuar tek shkresat duke lënë të kuptohej se ishte bërë gati për betejën e jetës , që në rastin e tij do të jetë një luftë penale.
Dhe me gjithë praninë e avokatëve në sallë ku secili po përgatitet për ballafaqimin e provave, nisur nga formimi i tij si jurist ishte e qartë se ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së mjedisit do ta kryejë vetë mbrojtjen.
Për Bllakon SPAK shpalli pretencën javën e kaluar dhe kërkoi katër vjet burgim, që në aplikimit të gjykimit të shkurtuar zbresin në 2 vjet e tetë muaj. Për ish ministrin Lefter Koka u kërkua 10 vjet të cilat llogariten se zbresin në 6 vjet e tetë muaj.
Sipas llogarive të avokatit të Lefter Kokës, prokurorët e SPAK duhet të jetë ngelës në Matematikë, përderisa vlerën e 3 milionëve e krahasojnë me të gjitha pasuritë e sekuestruara.
“Kantina ka një vlerë 344 mln lekë, një kontratë që janë shitur tre njësi është 610 mijë euro, një vilë është 350 mijë euro dhe tetë apartamente që janë shumë herë më shumë se 309 milionë lekë”, tha avokati Tritan Hamitaj.
Në total SPAK kërkoi ndaj 10 të pandehurve vite burgim. Por seanca e parë për tu mbrojtur u shty pasi mungonin dy nga avokatët.
Top Channel