Akademia e Studimeve Albanologjike, me vendim qeverie, do të riorganizohet.
Kjo do të thotë se institutet edhe njësitë përbërëse të saj do të funksionojnë si autonome pranë Akademisë së Shkencave. Ministrja e arsimit, Evis Kushi tha se ky vendim erdhi pas një pune disa mujore, ku krahas parregullsive janë gjetur edhe shkelje të rënda ligjore.
“Akademia e Studimeve Albanologjike sot që flasim dhe asnjëherë nuk ka patur një fakultet që është detyrimi i parë ligjor. Së dyti Akademia e Studimeve Albanologjike është e paakredituar, si nga ana institucionale, edhe nga ana e programeve të studimit. sipas ligjit një institucion mund të lëshojë diploma, vetëm nëse është e akredituar, sepse akreditimi garanton cilësinë.Ndërkohë që para ca vitesh ASA ka lëshuar diploma, një shkelje tjetër e rëndë ligjore. Pra ka një sërë argumentesh për sa i takon strukturës dhe organizimit që e bëjnë të pamundur ekzistencën e ASA-s si një institucion i Arsimit të Lartë”-tha Kushi.
Për këtë vendim gjatë ditëve të fundit ka pasur debate të forta publike e kundërshtime. Për deklarua të tilla ministrja tha se janë të bërë nga një pakice ndërsa janë të shumtë studiuesit që e kanë mbështetur.
“Dua ta theksoj, nuk po mbyllet, sepse dëgjoj edhe deklarata të tipit “po zhduket Albanologjia” që nuk dua ta komentoj. Jo vetëm që nuk zhduket por Albanologjia do të marrë vendin që meriton, atje ku e meriton, në Akademinë e Shkencave që është niveli më i lartë, institucioni më prestigjioz për shkencën në përgjithësi.“-tha Kushi.
Sa u përket doktorantëve që janë ende në proces do të transferohen në institucione të tjera të arsimit të lartë që ofrojnë programe doktorature.
Top Channel