Kryeministri, Edi Rama po merr pjesë në samitin që mbahet në Bratislavë të Sllovakisë mbi Ballkanin me temë “Rrugët e Hapura: Ballkanasit sërish në biznes”.
Rama ritheksoi ‘kritikat’ e tij për fondet që rajoni i Ballkanit Perëndimor merr nga Bashkimi Europian të cilat sipas tij janë 11 herë më të vogla sesa ato që jepen nga BE për vendet e Evropës Juglindore. Rama tha se po të mos ishte për Turqinë, Shqipëria do kishte më shumë vdekje nga pandemia.
“Do ta nis me atë çfarë ndodhi në Europë dhe BE në përgjigje të krizës së madhe që goditi Europën por që na goditi edhe ne. Kjo shpjegon atë hendek të jashtëzakonshëm midis shteteve anëtare të BE dhe mes nesh, vendeve të Ballkanit Perëndimor Mes 2020 dhe 2021 mes disa paketave shumë të mëdha, BE dha 47.5 miliardë euro për shtetet anëtare. Ndërkohë që për ne u dha 1 miliardë për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave 500 milionë në grante. Këto ishin rishpërndarje e fondeve të IPA-s. Pra ajo që duhet të merrnim nga IPA për projekte të caktuara u rikonjektuan. Nuk po them se nuk ishte diçka e mirë por them që ishte një rishpërndarje. Pika e dytë që dua të përmend se dhënia e granteve nga BE për vendet e Europës juglindore do jetë 11 herë më e madhe se ajo që u dha për Ballkanin Perëndimor. Nga fondet e IPA-s marrim 90% ndihmë teknike dhe 10% investime”– tha Rama.
Rama tha se që Ballkani Perëndimor të mos kthehet prapa, BE duhet të bëjë më shumë për rajonin dhe të ndryshojë hendekun.
“Procesi i negociatave të anëtarësimit do kërkojë kohë dhe jam i bindur se nuk duhet nxituar. Duhet të jetë një proces i rregullt dhe i konsoliduar por na duhet të marrim diçka më shumë dhe diçka duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore mes BE dhe Ballkanit Perëndimor nëse nuk duan të shohin që ky rajon të kthehet mbrapsht sërish”-tha kryeministri.
Top Channel