Në këtë fillim sezoni, plazhet e Durrësit janë gati për të pritur fluksin e turistëve vendas e të huaj, po nuk mungojnë as shqetësimet e operatorëve turistikë.

Rënia e euros dhe shtimi i numrit të subjekteve të palicensuara që duan të ofrojnë akomodim dhe shërbime pritet të ndikojnë në tregun turistik që po njeh një rritje të ndjeshme vitet e fundit.

“E vetmja gjë që na shqetëson këtë vit është kursi i euros, pasi rezervimet janë bërë që në 2022-in dhe ndryshimi i kursit të euros ka shkaktuar dëm që shpresojmë të rikuperohet me një volum të kënaqshëm pune. Problem është dhe konkurenca e pandershme e subjekteve të palicensuara”, tha Eduard Xhepa i Shoqatës së Turizmit Durrës.

Në këto kushte, shoqata e turizmit propozon që strukturat turistike të mbështeten nga shteti për të lehtësuar pasojat që vijnë nga ndryshimet në kursin e euros, por edhe nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në tregun vendas.

“Padiskutim që subvencionimi në turizëm është i domosdoshëm pasi ka shumë që punojnë sezonale dhe kanë problem në mbajtjen e stafit gjatë të gjithë vitit dhe kur nuk kanë mbështetje nga shteti qoftë për siguracionet apo pagesa minimale, atëherë kanë probleme gjatë verës në gjetjen e stafit, pasi koha nuk mjafton për gjetjen dhe trajnimin e tyre”, shtoi ai.

E ndërsa strukturat turistike presin një përgjigje për lehtësira fiskale, ritmi i përgatitjeve të fundit për sezonin është i lartë. Përveç operatorëve turistikë, edhe ndërmarrjet publike po vijojnë me intensitet pastrimin dhe dezinfektimin e plazheve përgjatë të gjithë vijës bregdetare të Gjirit të Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA