Hapen kutitë në Rrogozhinë! Do të rinumërohen votat për kryetarin e bashkisë, opozita pretendon se ka parregullsi

31/05/2023 16:04

Mandati i Edision Memollës si kryebashkiak është ende  i pasigurt, të paktën deri të hënën, kur të rinumërohen kutitë e 55 qendrave të votimit të Bashkisë së Rrogozhinës.

Karta më e fortë e demokratëve ishin votat e burgut, që përmbysën rezultatin në moment të fundit, në favor të socialistëve.

“Hapja e kutisë se burgut të Rrogozhinës përmbysi rezultatin  pasi diferenca ishte 57 vota plus për kandidatin e Bashkë Fitojmë Shkëlqim Hoxha,  por pas kutisë se burgut fitoren e mori Edision Memolla i PS me 30 vota  diferencë”, tha Ivi Kaso nga “Bashkë Fitojmë”.

“Ajo QV ka 10 vite që ekziston. Para dhe gjatë votimit nuk kishte asnjë ankesë  nga pala ankimuese, pretendimet erdhën pasi u shpall rezultati fitues. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, u shpreh Eridian Salianji nga PS.

Juristët e Sali Berishës në KQZ dështuan  të bindnin  trupën e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për rivlerësim. Në lojë u futën  dy anëtarët  e zgjedhur nga  opozita, Ledio Braho dhe Elvis Cefa që shfrytëzuan një shteg te Kodit Zgjedhor  që i jep fuqi qoftë dhe një anëtari të vetëm që të hapë kutitë nëse ka dyshime  që vullneti i zgjedhësve është tjetërsuar.

“Shpall vendimin për rinumërimin e kutive të Rrogozhinës ditën e hënë, me vullnet të dy anëtarëve të KAS, Ledio Braho dhe Elvis Cefa”, deklaroi Ledio Braho.

Një fat të njëjtë me Rrogozhinën nuk e pati Kamza, ku kandidati humbës i dyshes Berisha-Meta pretendoi se Bashkia i iku ndaj duart për faj të pajisjeve elektronike. KAS-si i la 24 orë kohë koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të detajuar provat mbi pretendimet për manipulim, ndërsa vendosi që të hapë vetëm dy kuti votimi me kërkesë të Partisë Lëvizja e Legalitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA