Sali Berisha pretendon se ka ne dorë një provë të re për rrëzimin e zgjedhjeve të 14 majit.
Ai denoncoi trafikimin e votuesve nga një qytet në tjetrin për të ndikuar në rezultat.
“Farsa zgjedhore maj 2023 kishte dimensionet e saj të shëmtuara, njëri prej të cilëve janë edhe votuesit shëtitës . Ndërkohë ne kemi identifikuar se zgjedhës potencialisht shëtitës, janë në të gjithë vendin rreth 547 mijë vetë. Këta zgjedhës po identifikohen bashki më bashki. Këta zgjedhës do identifikohen qendër pas qendre”-tha Berisha.
Për të mbështetur akuzat, Sali Berisha iu referua një investigimi të bërë në median e familjes së tij, ku pretendohet se 20 qytetar ishin importuar nga rrethet në Tiranë për të ndikuar në fitoren e Veliajt.
“Në një emision investigativ gjetën se një drejtor i Bashkisë së Tiranës kishte regjistruar në 4 apartamente false rreth 20 qytetarë të cilët nuk kishin banuar kurrë në ato apartamente të tij, por kishin ardhur nga zona të ndryshme dhe kishin votuar për Erion Veliajn.“- tha Berisha.
Manovrat me listat e zgjedhësve sipas Berishës nisën me përjashtimin e mbi 180 mijë zgjedhësve, te cilëve iu ndryshua qendra e votimit.
“Por krahas kësaj, në farsën e turpshme elektorale maj 2023 u përdorën gjerësisht fantazmat e zgjedhësve shëtitës, apo zgjedhës që votonin në dy apo ndofta dhe në tre qendra votimi dhe gjithçka do vërtetohet, ne do i shkojmë gjer në fund kësaj batërdie, kësaj farse të shëmtuar elektorale”.
Sali Berisha kërkoi mirëkuptim dhe durimin e demokratëve pasi sipas tij faktimi i vjedhjes do kohë dhe është një pune e vështire.
Top Channel