Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti.

Sipas tij, rrëzimi i kryeministrit Albin Kurti nga pushteti, është zgjidhja e situatës së krijuar në veri të vendit. Kreu i AAK-së beson se për këtë propozim të partisë së tij do të ketë edhe mbështetjen e deputetëve në maxhorancë.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë, Haradinaj tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti. Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri, dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me SHBA-të, dhe BE-në deri edhe tek sanksionet nga SHBA-të ndaj Kosovës. Do të fillojmë konsultimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi dhe besojmë që mocioni është zgjidhja në këtë situatë të krijuar”, tha ai.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi se për mocionin e mosbesimit kanë nisur konsultimet me partitë.

“Kemi filluar komunikimin e ndërsjellë me kryetarët e partive në nivel të grupeve, parlamentare besoj që në të ardhmen do t’i japim edhe rezultatet e këtij komunikimi…Besoj që nuk është çështje më pozitë, opozitë është çështje me ruajtur Kosovën, me ruajtur aleancën me aleatin tonë të sigurisë me garantin tonë që është Amerika. çdo herë që u rreziku policia jonë në veri ishin amerikanët, ushtarët, KFOR amerikan që u vu në mbrojtje të policisë sonë. Unë besoj që do të përkrahet mocioni nga të gjitha, nga një shumicë e nevojshme po”, theksoi Haradinaj.

Duke folur për deklaratat e Kurtit për sekretarin amerikan, Antony Blinken, Haradinaj ka thënë se Kurti vazhdoi me planin e tij për konflikt që është në interes të Putinit.

“Kryeministri Kurti, në vend që të bashkëpunojë me SHBA-të me planin e tyre për integrim të veriut ka vazhduar me një plan të vetin për të nxitur për të krijuar një palë për konflikt e që është interes i Rusisë dhe Putinit, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën, por ka vazhduar të nxisë një konflikt në veri që është interes i Putinit. Puna e gjatë shumë e vështirë e Kosovës që ushtria jonë me qenë në rresht me ushtritë e NATO, Amerikës e suksese i arritur që do të ishte baza për partneritet për paqe dhe NATO është rrezikuar dje nga vendimi për largimin e ushtrisë së Kosovës nga ushtrimi mbrojtës 2023. Ajo që e bënë këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurti, që në emër të Kosovës dhe popullit të Kosovës me iu drejtua përmes mediave sekretarit Blinken me fjalinë që iu ka drejtua. Atë fjalor e ka përdorur në raste të caktuara Zaharova që është zëdhënësja e ministres ruse, Kurti ka shkuar në ekstrem të një komunikimi fyes për aleatin tonë dhe garantin tonë kryesor të sigurisë pa të cilin edhe sot gjendja e sigurisë në veri do të ishte edhe më e keqe”, tha ai.

Prej tre ditësh në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar të tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA