Ai theksoi se të hënën u dëshmua përfundimisht se në protestë janë grupet e së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë.
“Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”, deklaroi Kurti.
Më tej kreu i qeverisë së Kosovës shtoi se kriminelët multimilionerë si Milan Radojçiç e Zvonko Veselinoviç janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i detyrojnë punonjësit të dalin në protesta të dhunshme.
“Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiç, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiç”.
“Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se institucionet e Kosovës e kanë shtuar komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, qetësimi i situatës është qëllim i përbashkët.
“Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta. Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore”, pohoi kreu i Qeverisë.
Kurti ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për gatishmërinë që kanë treguar përkundër dhunës së ushtruar nga protestuesit.
“Dhjetëra të lënduarve ju dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata. Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Dhe falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës për mirëbesimin dhe mbështetjen”, tha Kurti.