Irani u bën presion familjeve të protestuesve të ekzekutuar

30/05/2023 11:18

Më pak se dy javë pas ekzekutimit të Majid Kazemit, protestuesit iranian të ekzekutuar më 19 maj, një nga të afërmit e tij ka bërë të ditur se babait të Kazemit i është ndalur pensioni dhe motra e tij është pushuar nga puna.

Mohammad Hashemi, kushëriri i Majid Kazemit, e bëri këtë të ditur përmes një postimi në Twitter, duke shtuar se pavarësisht se kanë kaluar një javë që nga ekzekutimi i të afërmit të tij, dy vëllezërit e Mexhid Kazemit, Mehdiu dhe Hosseini, janë ende në paraburgim nga institucionet e sigurisë të Republikës Islamike.

Sipas një raporti të publikuar nga agjencia e lajmeve Mizan, e lidhur me gjyqësorin e Iranit, Saleh Mirehashimi, Majid Kazemi dhe Saeed Yaqoubi u ekzekutuan në agimin e 19 majit në një burg në qytetin qendror iranian të Isfahanit.

Treshja ishte e përfshirë në një incident më 16 nëntor 2022, gjatë të cilit dy anëtarë të forcave paraushtarake iraniane dhe një oficer i zbatimit të ligjit u qëlluan për vdekje në Isfahan.

Përplasja ndodhi në kulmin e protestave të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, 22 vjeçarja që vdiq teksa po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Megjithatë, bazuar në një foto të vendimit të gjykatës të bërë publik nga familjet e të pandehurve, dënimet me vdekje për të tre personat nuk janë dhënë për vrasje, por për “luftë kundër Zotit”, një krim që shpesh zbatohet për të përndjekurit politikë në Iran.

Të tre burrat mohuan akuzën për vrasje gjatë rrëfimeve të tyre të dhëna me detyrim dhe të transmetuara në televizionin shtetëror të Iranit.

Thirrjet për anulimin e ekzekutimeve janë shtuar ditët e fundit pasi Gjykata e Lartë iraniane la në fuqi dënimet.

Raportet nga Irani tregojnë se pas ekzekutimit të këtyre tre protestuesve të rinj, presioni i qeverisë ndaj familjeve të tyre është shtuar.

Një javë më parë kushëriri i Kazemit tha se agjentët e sigurisë e kishin sulmuar shtëpinë e familjes Kazemi dhe kishin arrestuar “me dhunë” dy vëllezrit e tij. Arrestimi i Mehdiut dhe Hossein Kazemit u bë vetëm një ditë pas ekzekutimit të dënimit me vdekje të Majid Kazemit. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA