Një aksident me pasojë dy të lënduar ka ndodhur mëngjesin e sotëm në daljen veriore të qytetit të Lushnjës.
Mësohet se dy mjete janë përplasur në një kryqëzim rruge pranë një shkollë private, duke përfunduar në trotuar, por fatmirësisht nuk ka pasur këmbësorë.
Në aksident janë përfshirë makina tip “Toyota”, e cila ishte shërbim taxi me targa AE789T, ku udhëtonte një mësuese dhe taksisti të cilët mbetën të lënduar dhe mjeti tip “Audi” me targa AB900TD.
Me ndërhyrjen e zjarrfikëses dhe policisë si dhe të ambulancës janë nxjerre nga mjeti të dëmtuarit, të cilët janë dërguar në spital.
“Rreth orës 08:50, në vendin e quajtur “Rruga e palmave”, Lushnjë, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin D. T. është përplasur me automjetin tip “Toyota” me drejtues shtetasin E. G. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar shtetasi E. G. dhe pasagjerja e automjetit tip “Toyota”, shtetasja J. B., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.“- njofton policia.
Aksi ku ndodhi aksidenti i sotëm është një nga akset ku ka pasur aksidente të shumta dhe fatale. Kjo për shkak të shpejtësisë së lartë që mjete qarkullojnë në këtë aks. Veç kësaj, në këtë aks janë dhe dy kryqëzime horizontale ku janë si burim aksidenti pasi nuk zbatohen rregullat e qarkullimit rrugor.
Top Channel