Në një formë qartë presioni, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç njoftoi përfundimin e dislokimit të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë, në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksander Vuçiç për rritjen e gatishmërisë luftarake.
“Njësitë e ushtrisë serbe do të jenë të përgatitura për të zbatuar çdo urdhër, me shpresën se ndërkohë do të gjendet një zgjidhje politike”, deklaroi Vuçiç. Ai e theksoi se gatishmëria luftarake e Forcave të Armatosura të Serbisë është rritur për të treguar se “ka vija të kuqe”.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviç po kështu sipas ministrit, ka biseduar në telefon me kreun e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia. Gjatë bisedës, siç tha Vuçevic, Ristuccia është shprehur se KFOR-i do të ofrojë siguri dhe paqe dhe nuk do të lejojë një konflikt midis Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të komunitetit serb.
Por ministri serb i mbrojtjes u shfaq mosbesues ndaj garancive të forcave të NATO-s e tha se ato në fakt, po mbrojnë sipas tij, Policinë e Kosovës dhe kryetarët e rinj të komunave, të cilët i quajti “uzurpatorë të demokracisë”.
Shtimin e pranisë së trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e cilësoi një reagim të vonuar të këtij misioni.
“Ata duhet të shkonin atje të premten, e jo sot. Mandati i tyre është që të mbrojnë paqen, stabilitetin dhe njerëzit. Ata sot nuk po mbrojnë njerëzit dhe institucionet. Ata po mbrojnë uzurpatorët”, tha Bërnabiç.
Top Channel