KFOR-i shton praninë në katër komunat veriore me shumicë serbe të Kosovës, BE dhe NATO i bëjnë thirrje Prishtinës të frenohet: Ndërkombëtarët janë të shqetësuar nga zhvillimet e fundit që minojnë përpjekjet e tyre për stabilizimin të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.

Mëngjesin e sotëm, paqeruajtësit e KFOR-it rrethuan me pengesa e me tela me gjemba ndërtesën e bashkisë së Leposaviçit pasi serbët lokalë tentuan të hyjnë me forcë. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës që të shpërndajë turmën.

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, në Kosovë, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe  Mbretëria e Bashkuar iu drejtuan me një apel të hapur autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrjen me forcë në godinat e komunave me shumicë serbe.

Paralajmërimi është i qartë: veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.

“QUINT, dënon vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje. Në këtë kontekst, QUINTI dhe Bashkimi Europian presin që autoritetet e qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat në Leposavic, Zubin Potok dhe Zveçan”, thuhet në deklaratë, ndërsa paralajmëruan se “veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me ta dhe me BE-në”.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-os, Jens Stoltenberg, tha se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Josep Borrell, lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas rritjes së tensioneve atje.

“Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi Stolteberg në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë”, por shtoi se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e detyrimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA